Kosovë

Kjo shqiptare gangstere sot u lirua nga burgu

Erisa Fero, ish-punonjëse e administratës shtetërore, është liruar ditën e sotme nga burgu i grave në Pojskë, pasi ka përfituar nga amnistia penale.

Fero ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2022, pasi gjatë një kontrolli në automjetin që ajo drejtonte në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë, autoritetet zbuluan rreth 58 kilogramë kanabis. Sipas hetimeve të kohës, lënda narkotike dyshohej se kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut.

Rasti mori vëmendje të madhe mediatike për shkak se në momentin e arrestimit Fero ishte e punësuar në administratën shtetërore, konkretisht pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).


Menjëherë pas arrestimit, institucioni njoftoi ndërprerjen e marrëdhënies së saj të punës.

Në automjet së bashku me Feron ndodheshin edhe Likë Basha, i raportuar në atë kohë si djali i një biznesmeni nga Fushë-Kruja, si dhe një 17-vjeçar me inicialet M.K.

Pas arrestimit të saj, në mediat shqiptare dhe rrjetet sociale qarkulluan edhe fotografi dhe video të publikuara më herët nga vetë Fero. Në to ajo shfaqej në momente të ndryshme nga jeta private, përfshirë pushime, festa dhe video të realizuara për rrjetet sociale.

Vëmendje të veçantë morën edhe disa pamje të publikuara në Instagram, ku ajo shfaqej duke përdorur armë, si dhe reagime të saj për ngjarje të ndryshme që kishin marrë vëmendje në opinionin publik.

Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Fero ka përfituar tashmë nga amnistia penale, duke lënë ambientet e burgut të grave në Pojskë.

Lirimi i saj rikthen në vëmendje një nga rastet që kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik shqiptar, veçanërisht për shkak të pozitës që Fero mbante në administratën shtetërore në kohën kur u arrestua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *