Kosovë

Ngjarje tragjike në Podujevë, ka të vdekur!

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së martës në rrugën “Ilir Konushevci” në Podujevë, ku një person ka humbur jetën pasi ka rënë nga një objekt.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Sipas tij, Policia ka pranuar informatën rreth orës 14:00, ndërsa menjëherë pas njoftimit në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor.

Pavarësisht intervenimit të shpejtë, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Ilir Konushevci’ në Podujevë, një person ka rënë nga një lartësi (objekt). Viktima nuk ka arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke zhvilluar hetimet lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit,” deklaroi Pllana.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës dhe as rrethanat në të cilat ndodhi rënia.

Grupi hetimor, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po zhvillon veprimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Policia pritet të dalë me informacione shtesë pas përfundimit të hetimeve fillestare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *