E RËNDË Nuk i mbijetoi plagëve, ky është personi që u nda nga jeta pas aksidentit tragjik në Çagllavicë
Një ngjarje e rëndë është konfirmuar mbrëmjen e së shtunës, një javë pas aksidentit që kishte ndodhur më 11 tetor 2025 në fshatin Çagllavicë, në rrugën Ferizaj–Prishtinë, ku ishin përfshirë një veturë dhe një motokultivator.
Si pasojë e përplasjes, ishin lënduar rëndë dy persona – Emrak Çeliç rreth 21-vjeçar dhe Ramiz Çeliç rreth 53-vjeçar, të cilët ishin dërguar me urgjencë në QKUK për trajtim mjekësor.
Fatkeqësisht, pas shtatë ditësh trajtimi intensiv, mbrëmë rreth orës 20:50, Ramiz Çeliç ka ndërruar jetë në repartin e mjekimit intensiv të QKUK-së.
Në aksident ishte përfshirë automjeti Opel Zafira, që drejtohej nga Meriton Shala rreth 24-vjeçar nga fshati Rufc i Vjetër, Lipjan, ndërsa motokultivatori ngjyrë portokalli që nuk kishte targa drejtohej nga Emrak Çeliç, me Ramiz Çeliç si pasagjer.
Pas përplasjes, të lënduarit ishin dërguar në QKUK, ku shoferi i motokultivatorit ishte jashtë rrezikut për jetë, ndërsa pasagjeri mbeti për ditë të tëra në gjendje kritike.
Me konstatimin e vdekjes, është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Ndërkohë, shoferi i veturës Meriton Shala ishte ndaluar që më herët me urdhër të prokurorit të shtetit.
Hetimet për rrethanat e aksidentit tragjik po vazhdojnë.
